Integrimi Evropian

Ilazi: Përmes MSA-së, Kosova është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE sikurse të gjitha vendet e rajonit

29 Mars, 2016

Prishtinë, 29 mars 2016 – Ministria e Integrimit Evropian, mbajti sot konferencën informuese, “Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit Kosovë – BE dhe zbatimi i saj”, me qëllim që të informoj zyrtarët e institucioneve qendrore dhe komunale me përfitimet dhe detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje.

Me këtë rast, zëvendësministri i Integrimit Evropian, z. Ramadan Ilazi, foli për MSA-në si instrument i marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe rëndësinë e saj për të ardhmen evropiane të Kosovës.

“Me hyrjen në fuqi të MSA-së, Kosova ka filluar rrugëtimin zyrtar drejt anëtarësimit në BE dhe tani Republika e Kosovës është pjesë e procesit formal të anëtarësimit në BE, njëjtë sikurse të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë zëvendësministri Ilazi.

Ndër të tjera ka shpjeguar rëndësinë kësaj marrëveshje në aspektin politik, ekonomik si dhe të përafrimit të legjislacionit e bashkëpunimit.

“Përparimi i Republikës së Kosovës në rrugën e vetë evropiane do të arrihet me zbatimin e mirëfilltë të MSA-së dhe ky duhet të jetë fokusi ynë. Komunat e Kosovës, kanë rol kyç në procesin e zbatimit të reformave evropiane dhe në këtë drejtim ne presim për një bashkëpunim të mirë dhe të gjatë në këtë proces”, ka shtuar zëvendësministri Ilazi.

Ndërkaq për detyrimet dhe përfitimet politike të MSA-së, ka folur z. Artan Çollaku, drejtor i Departamentit për Koordinimin e Procesit të Stabilizim-Asociimit në Ministrinë e Integrimit Evropian.

Detyrimet dhe përfitimet ekonomike nga kjo marrëveshje, i ka prezantuar z. Jeton Karaqica, drejtor i Departamentit të Kritereve Ekonomike dhe Tregut të Brendshëm në Ministrinë e Integrimit Evropian.

Ndërkaq Ylli Valla, udhëheqës i Divizionit për Integrim Evropian në  Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka theksuar faktin se obligime nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit dalin edhe për pushtetin lokal.

Last modified: 10 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *