Ministri Çollaku dhe Ambasadori Cliff diskutojnë për procesin e integrimit Evropian të Kosovës

Prishtinë 14.01.2015 – Ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë  z. Ian Cliff, me të cilin kanë diskutuar për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, si dhe për progresin dhe sfidat e vendit në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Ambasadori Cliff ka shprehur gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit, duke konfirmuar përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për perspektivën Evropiane të Kosovës.

Ministri Çollaku ka përsëritur se pritjet e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës janë që këtë vit të ketë progres konkret në përafrimin e vendit me Bashkimin Evropian, dhe në këtë drejtim është qenësore nënshkrimi i MSA-së dhe finalizimi i procesit të liberalizimit të vizave.

Duke e falënderuar ambasadorin Cliff, Ministri Çollaku ka konfirmuar zotimin e tij personal dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Mbretërinë e Bashkuar, përmes ambasadës së saj në Prishtinë, duke theksuar se zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbështetja e shteteve mike të Kosovës, janë qenësore për avancimin e integrimit evropian të vendit.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors