Plani i Rritjes

Plani i Rritjes | Instrumenti i BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor

 

Instrumenti i Bashkimit Evropian për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor (Instrumenti për Reforma, IR) është kornizë e re për përshpejtimin e reformave për integrim në BE të tërë rajonit e cila kombinon reformat për aderim në BE me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese për këtë qëllim. Qëllimi i IR është që të mbështeten vendet përfituese në zbatimin e reformave që kërkohen për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE, si dhe për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe integrimit ekonomik në rajon dhe me Tregun e Përbashkët të BE-së.


Ky instrument është iniciuar nga Komisioni Evropian në nëntor 2023. Për këtë qëllim, KE ka miratuar Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe e ka publikuar atë më 8 nëntor 2023. Objektivi kryesor ekonomik i Planit të Rritjes është dyfishimi i ekonomive të rajonit brenda dhjetë viteve të ardhshëm. Ky plan bazohet në katër shtylla kryesore dhe ka katër objektiva:

  1. Fuqizimi i integrimit ekonomik me Tregut të Përbashkët të BE-së;
  2. Përshpejtimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, me fokus në shtatë fusha prioritare të ekonomisë:
    • Lëvizja e lirë e mallrave;
    • Lëvizja e lirë e shërbimeve dhe punëtorëve;
    • Qasja në Hapësirën e Përbashkët të Pagesave në Euro (SEPA/HPPE);
    • Lehtësimi i transportit rrugor;
    • Integrimi dhe dekarbonizimi i tregjeve të energjisë;
    • Tregu i përbashkët digjital; dhe
    • Integrimi në zinxhirin e furnizimit të industrive.
  3. Përshpejtimi i zbatimit të reformave themelore për aderim në BE dhe rritje të qëndrueshme ekonomike, përfshirë përmes tërheqjes së investimeve dhe forcimit të stabilitetit rajonal; dhe
  4. Rritjen e ndihmës financiare në shkëmbim të zbatimit të reformave themelore dhe atyre ekonomike përmes pakos financiare për periudhën e ardhshme afatmesme. Pakoja financiare e IR parasheh që gjatë periudhës afatmesme 2024-2027 të gjitha vendet e rajonit së bashku të përfitojnë fonde të BE-së në vlerë prej gjithsej 6 miliardë eurosh (2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi). Nga kjo shumë e gjithmbarshme, secili vend do të përfitojë një shumë proporcionale, bazuar në numrin e popullsisë dhe bruto produktin e brendshëm, në shkëmbim të reformave për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE në fusha prioritare.


IR parasheh që deri në fund të vitit 2027 Kosova të përfitojë deri në 882,609,009 euro fonde të BE-së.


Reformat specifike për secilin vend janë planifikuar në kuadër të Agjendave të Reformave. Për të zbatuar reformat në kuadër të IR, Republika e Kosovës ka negociuar me KE-në Agjendën e Reformave, e cila është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 9 tetor 2024. Për më tepër hollësi, shihni më poshtë Agjendën e Reformave dhe përmbledhjen.


Baza ligjore kombëtare për IR, përfshirë, Agjendën e Reformave, është Marrëveshja për Instrumentin dhe Marrëveshja për Huanë. Këto marrëveshje janë ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 13 shkurt 2026.


Më pas, më 19 mars 2026 Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Vendimin nr. 02/05 për sistemin e zbatimit të IR.


Rregullorja e Punës e Komitetit Monitorues BE – Kosovë të Instrumentit për Reforma dhe Rritje


Vendimi i Qeverisë për Sistemin e Zbatimit të IR


Agjenda e Reformave


Agjenda e Reformave – Përmbledhje


Marrëveshja për Huanë


Marrëveshja për Instrumentin

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors