Si ish-kryeministër i Belgjikës dhe raportues në hije për raportet e Parlamentit Evropian për Kosovën, z. Elio Di Rupo ka mbështetur avancimin e perspektivës evropiane të vendit tonë. Raportet për Kosovën, në hartimin e të cilave ai ka kontribuar, bëjnë thirrje që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian dhënien e opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
Sot, Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, z. Jeton Zulfaj, zhvilloi takim me eurodeputetin Di Rupo në Parlamentin Evropian në Bruksel, për ta falenderuar për mbeshtetjen e tij dhe diskutuan për avancimin e aplikimit të Kosovës dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
Zulfaj theksoi se progresi demokratik i Kosovës, përkushtimi ndaj vlerave themelore të BE-së, të përcaktuara në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian, dhe linjëzimi i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së meritojnë avancimin e procesit të integrimit evropian. Ai nënvizoi rëndësinë e një procesi të zgjerimit të bazuar në merita, ku arritjet konkrete të Kosovës të reflektohen në hapa të mëtejshëm drejt anëtarësimit.


