Në kuadër të Programit të BE-së “Citizens, Equality, Rights and Value – CERV” (“Qytetarët, Barazia, Të Drejtat dhe Vlerat”) është hapur thirrja për propozime për promovimin e barazisë gjinore që fokusohet në përmirësimin e të drejtave të grave, balancin mes jetës dhe punës, pagat e barabarta dhe sfidimin e stereotipeve gjinore.
Dy prioritetet kryesore të thirrjes janë: 1) Adresimi i hendekut të kujdesit gjinor, që përfshin promovimin e qasjeve transformuese gjinore, sfidimin e stereotipeve dhe përmirësimin e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, dhe 2) Zbatimi i dispozitave të Direktivës për Transparencën e Pagave, që përfshin zhvillimin e mjeteve dhe fushatave të ndërgjegjësimit për vlerësim të punës me ndjeshmëri gjinore.
Përfituese të kësaj thirrjeje mund të jenë institucionet publike në nivel qendror dhe lokal si dhe organizatat e shoqërisë civile, me projekte kombëtare dhe ndërkombëtare. Afati i fundit për dorëzim të propozimeve është data 29 shkurt 2024.
Për informata të hollësishme, udhëzime për aplikim, dhe dorëzim të propozimeve vizitoni Portalin e Financimit dhe Tenderëve të BE-së: https://shorturl.at/epvHZ
Kjo thirrje paraqet një mundësi të vlefshme për organizatat nga Kosova që synojnë të kontribojnë në avancimin e barazisë gjinore.
CERV është programi më i madh i BE – së në fushën e të drejtave të njeriut, kujtesës evropiane dhe bashkëpunimit në hapësirën evropiane dhe të vendeve që aspirojnë t’i bashkohen BE -së. Republika e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në CERV në dhjetor të vitit 2023.
Last modified: 2 Shkurt, 2024