Gjatë takimit, delegacionet diskutuan progresin dhe sfidat në zbatimin e asistencës së Luksemburgut në Kosovë, në fushën e arsimit profesional, shëndetësisë dhe ujërave.
Sa i përket sektorit të shëndetësisë, delegacionet diskutuan strategjinë e sektorit të shëndetësisë dhe themelimin e Sistemit Informativ Shëndetësor. Në arsim, u shqyrtua progresi i arritur në funksionalizimin e Agjencisë së AAP-së dhe Qendrave të Kompetencës. Në sektorin e ujërave, Kosova ka konfirmuar bashkë-financimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore, ndërsa delegacioni i Luksemburgut kërkoi të ndërmerren hapa guximshëm në përmirësimin e menaxhimit të ujërave në Kosovë. Delegacionet gjithashtu diskutuan asistencën ardhshme teknike, mbështetjen potenciale të shoqërisë civile dhe shkëmbimet e mundshme ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe Luksemburgut.
Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, Z. Ramadan Ilazi, Zëvendësministër për Integrime Evropiane tha: “Luksemburgu ka qenë vazhdimisht mbështetës i fortë i agjendës të Kosovës për integrim evropian. Për më tepër, Luksemburgu ka ndarë rreth 24 milionë euro për të mbështetur angazhimet për reforma në Kosovë. Tre sektorët që janë fokus i punës sonë të përbashkët, janë disa nga prioritetet kyçe të Qeverisë për të ardhmen”.
Udhëheqësja e delegacionit të Luksemburgut, Ambasadorja Znj. Martine Schommer, Drejtoresh në Departamentin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Veprime Humanitare, Ministria e Punëve të Jashtme të Dukatit të Madh të Luksemburgut tha: “Luksemburgu mbetet fuqimisht i përkushtuar për zhvillimin e Kosovës dhe integrimin në BE. Një program i ri zhvillimor katër-vjeçar do të dizajnohet për periudhën 2017-2020 me qëllim që të mbështet strategjitë zhvillimore të Kosovës në sektorë të ndryshëm (duke përfshirë edhe shëndetësinë) dhe për të forcuar shoqërinë civile të Kosovës”.
Luksemburgu e mirëpriti sot ratifikimin e dy marrëveshjeve në sektorin e shëndetësisë dhe atij të ujërave nga ana e Kuvendit.
Luksemburgu do të i ofroj Kosovës 48 milion Euro në formë të asistencës për periudhën 2013-2020.
Takimi i ardhshëm i nivelit të lartë i Komisionit të Partneritetit do të mbahet në Prishtinë në vitin 2016.
