Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinatori Kombëtar për Instrumentin e Reformave dhe Rritjes, Jeton Zulfaj, priti dje në takim z. Emanuele Giaufret, Zëvendës Drejtorin Menaxhues për Evropen Perëndimore në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).
Marrëdhëniet Kosovë – BE, me fokus në avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes, ishin në qendër të diskutimit. Z. Zulfaj nënvizoi rëndësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat dhe ndikimin pozitiv që kjo do të ketë në zbatimin e reformave dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit.
Z. Zulfaj e falënderoi z. Giaufret për ndihmën që Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës në ndërtim dhe zhvillim, ndihmë që është përkthyer në investime infrastrukturore dhe në ngritjen dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Z. Giaufret uroi z. Zulfaj për emërimin si Kryenegociator me BE-në dhe Koordinator Kombëtar për Instrumentin e Reformave dhe Rritjes.
Republika e Kosovës është ndër vendet me demokratike të rajonit, me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe e linjëzuar plotësisht me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, me të cilin ndan vlera të përbashkëta.




