Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian për Energji Atomike, në njërën anë, dhe Republikës së Kosovës, në anën tjetër (MSA), vendos marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Si e tillë, ajo përbën një fazë të re të marrëdhënieve politike ndërmjet palëve kontraktuese, me synim anëtarësimin e Kosovës në BE. Si marrëveshje ndërkombëtare, MSA përcakton afatet zyrtare për zbatimin e reformave që do ta përafrojnë Kosovën në mënyrë progresive me BE-në deri në përmbushjen e standardeve të BE-së në të gjitha fushat e politikave, si dhe mekanizmat e përbashkët institucionalë për këtë qëllim. Ajo gjithashtu përbën kornizën e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për jetësimin e Procesit të Stabilizim-Asociimit (PSA).
Procesi drejt negociatave për MSA ka nisur në fillim të vitit 2012. Më 28 shkurt, Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të BE-së, në Këshillin e BE-së për Çështje të Përgjithshme dhe Punë të Jashtme (GAERC), morën vendimin për të përkrahur nismën e Komisionit Evropian (KE) për kryerjen e Studimit të Fizibilitetit (SF) për këtë marrëveshje. Pas kryerjes së SF, gjatë periudhës mars – korrik 2012, ai ishte publikuar në tetor 2012. Studimi i Fizibilitetit për MSA kishte konstatuar se nuk kishte ndonjë pengesë juridike për BE-në që të lidhte MSA me Kosovën dhe se Kosova ishte e gatshme t’i fillonte negociatat për këtë marrëveshje. Ai gjithashtu i kërkonte Kosovës që për të nisur negociatat të përmbushte katër kritere afatshkurtra, për sundimin e ligjit, administratën publike, mbrojtjen e minoriteteve dhe tregtinë.
Më 12 dhjetor 2012 GAERC kishte miratuar propozimin e KE-së për fillimin e këtyre negociatave dhe qëllimin e tij për të propozuar direktivat përkatëse. Më pas, në prill 2013 KE kishte publikuar raportin monitorues për zbatimin e katër kritereve afatshkurta të SF, përmes të cilit kishte konfirmuar se Kosova kishte përmbushur ato. Bazuar në këtë raport, më 28 qershor 2013 GAERC mori vendimin për nisjen e negociatave për MSA ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Negociatat kishin filluar më 28 tetor 2013, me takimin e parë të Kryenegociatorëve. Pas hapjes së negociatave, me fokus në kapitujt IV, V dhe VI, raundi i dytë i tyre, i mbajtur më 27 nëntor 2013, u fokusua në përmbylljen e këtyre tre krerëve, me ç’rast gjithashtu u hapën negociatat për krerët I, III, VII, VIII , IX dhe X. Raundi i tretë dhe i katërt u zhvilluan në dhjetor 2013, respektivisht në shkurt 2014, kurse raundi i pestë (më 24 mars 2014) ishte fokusuar në kreun e fundit të mbetur, kreun II, mbi dialogun politik. Pas pesë raundesh të negociatave, MSA ishte miratuar nga Kryenegociatorët në takimin e tyre përfundimtar, më 2 maj 2014, në Prishtinë, me vendosjen e inicialeve. Me këtë ishin përmbyllur negociatat.
Më pas, MSA u miratua nga Komisioni Evropian, më 30 prill 2015 dhe u nënshkrua nga BE dhe Republika e Kosovës më 27 tetor 2015, në Strasburg. MSA u miratua nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 30 tetor 2015 dhe u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 2 nëntor 2015. Procedurat e miratimit të MSA-së u përmbyllën me miratimin e saj nga Këshilli i BE-së, më 12 janar 2016, dhe ratifikimin nga Parlamenti Evropian, më 21 janar 2016, dhe. Përfundimisht, në përputhje me nenin 144, paragrafin 2 të saj, MSA hyri në fuqi më 1 prill 2016.
Neni 9, paragrafi 1, i MSA-së parasheh që “ky asociim do të zbatohet në mënyrë progresive dhe të plotë përgjatë një periudhe prej dhjetë vitesh”. Kjo nënkupton se marrëdhënia e integrimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës, përmes procesit të asociimit që rregullon kjo marrëveshje, do të arrihet deri më 31 mars 2026, pra ajo do të zbatohet deri në këtë datë. Neni 9 gjithashtu parasheh që zbatimi i MSA-së të vlerësohet nga Këshilli i Stabilizim-Asociimit (KSA), si organi më i lartë i përbashkët BE – Kosovë përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të saj. Përveç kësaj, në përputhje me paragrafin 5 të këtij neni, KSA gjithashtu obligohet të kryejë dy vlerësime të hollësishme të zbatimit të MSA-së: vlerësimin afatmesëm, në fund të vitit të pestë të hyrjes së saj në fuqi, dhe vlerësimin në fund të vitit të dhjetë. Bazuar në këto dy vlerësime KSA mund të marrë vendime që rregullojnë ecurinë e mëtejshme të integrimit, përmes asociimit, ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Sa i përket fushëveprimit, përveç çështjeve politike, MSA mbulon të gjitha sferat e qeverisjes. Ajo përmban pjesën kryesore, me 144 nene, të shpërndarë në dhjetë krerë, si dhe shtatë shtojca, pesë protokolle dhe një deklaratë të përbashkët. Më konkretisht, dispozitat e pjesës kryesore janë të strukturuara si në vijim:
Pjesa dërrmuese e MSA-së bazohet në acquis-n e BE-së, përkatësisht tërësinë e normave juridike të zbatueshme brenda territorit të saj dhe nga të gjitha shtetet anëtare si subjekte juridike.
Nëse e vendosim në kontekstin e fushave të politikave sipas strukturës së Kritereve të Kopenhagës, MSA është e strukturuar sipas fushave të politikave dhe çështjeve specifike si në vijim:
Ndërtesa e Qeverisë, Sheshi “Nëna Terezë”
2025 © Të gjitha të drejtat e rezervuara | Integrimi Evropian