Integrimi Evropian

Ministrja Hoxha dhe McAllister, në Konferencë me Grupin Panevropian të Partive Popullore në Parlamentin Evropian: Vendimmarrja për liberalizim të vizave të përshpejtohet

25 Tetor, 2018

 

Strasbourg, 25 Tetor 2018 – Grupi punues Panevropian i Partive Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentit Evropian, organizoi konference ku u hap diskutimi me temën Procesi integrues për shtetet e Evropës juglindore, panelistë ishin ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe David McAllister, kryetar i Komisionit AFET të Parlamentit Evropian, si dhe eurodeputeti austriak, Lucas Mandle.

Ministrja Hoxha, theksoi rëndësinë e procesit integrues për vendet e Evropës juglindore duke vënë në fokus, të arriturat dhe sfidat e procesit integrues, rasti i Kosovës.

Procesi integrues, theksoi Ministrja Hoxha, është prioritet nacional dhe çështje e konsensusit të gjerë institucional e politik, me përkushtim të fuqishëm në realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Reformat e Agjendës Evropiane si dhe reformat tjera, të parapara me strategjitë e përbashkëta.

Në këtë fazë, ne jemi duke zhvilluar takime me vendet e veçanta të Bashkimit Evropian, duke diskutuar çështjet e lidhura me liberalizimin e vizave, theksoi Ministrja Hoxha, në veçanti me vendet që kanë qasje hezituese ndaj këtij procesi duke dhënë argumente rreth përmbushjes së kritereve të parapara me udhërrëfyes. Migrimi si çështje elektorale e ngritur në disa vende të BE-së, nuk ka të bëj me qytetarët tonë. Dihet se Kosova nuk gjendet as në 30 vendet me numër të emigrantëve, andaj, kjo çështje do parë si çështje elektorale e vendeve të BE-së, në procese e fushata zgjedhore.

Presim, theksoi Ministrja Hoxha që vendimmarrja për liberalizim të ndodh gjatë presidencës austriake të kryesimit të BE-së, të njihen të arriturat e Kosovës, si dhe ndikimet në proceset e gjithmbarshme në rajon, aq më parë kur Kosova është vendi i vetëm pa lëvizje të lirë në vendet e Shengenit.

Ne, kemi përmbushur të gjitha kushtet e parapara me udhërrëfyesin e vizave, theksoi Ministrja Hoxha në takim, kemi filluar me fushatën njoftuese për qytetarët rreth këtij procesi, të bindur fuqishëm se rruga integruese është rruga jonë e vetme. Pa alternativë. Vendimmarrja pozitive në këtë proces do të jetë lajm i pritur nga të gjithë ne.

Ndërsa David McAllister, theksoi se Procesi integrues për shtetet e Evropës juglindore, është sfidë të cilën duhet ta fitojnë këto vende, me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Të arriturat e kësaj pjese të Evropës, sot reflektojnë në institucionet e BE-së, duke qenë rajon i paqes, fuqizimit të sundimit të ligjit, demokracisë dhe vlerave tjera të Bashkimit Evropian.

Ai ftoi deputetët e Partive Popullore por edhe deputetët tjerë, të vihen krah interesave të këtij rajoni në procesin integrues, duke kontribuar kështu, jo vetëm në zgjerimin e BE-së në këtë pjesë të Ballkanit, por edhe duke hapur dyert për përqafimin e vlerave të BE-së nga qytetarët e këtyre vendeve, duke u bërë zonë e mirëkuptimit, paqes dhe fqinjësisë së mirë. Po ashtu, Z. McAllister vlerësoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim, dhe pret që vendet e BE-së, të njohin këtë arritje dhe të japin dritën e gjelbër për lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës.

Last modified: 8 Gusht, 2022

One Response to " Ministrja Hoxha dhe McAllister, në Konferencë me Grupin Panevropian të Partive Popullore në Parlamentin Evropian: Vendimmarrja për liberalizim të vizave të përshpejtohet "

  1. … [Trackback]

    […] Information on that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/ministrja-hoxha-dhe-mcallister-ne-konference-me-grupin-panevropian-te-partive-popullore-ne-parlamentin-evropian-vendimmarrja-per-liberalizim-te-vizave-te-pershpejtohet/ […]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *