



Ministrja Hoxha theksoi se Hungaria ka përkrahur në vazhdimësi procesin integrues të Kosovës, andaj, theksoi ajo, presim që sërish të jeni krah nesh në sfidat që na presin, aktualisht më e rëndësishmja është çështja e votimit në Këshillin e ministrave.
Sot, kur rajoni është përfshirë si i plotë brenda planeve të zgjerimit të BE-së, vetëm Kosovës i mungon lëvizja e lirë, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se liberalizimi do të ndikonte gjithanshëm edhe në proceset tjera integruese, në zbatimin e MSA-së, reformat e Agjendës Evropiane si dhe reformat tjera ekonomike por edhe të bashkëpunimit ekonomik, ngritja e mirëqenies dhe konkurrueshmërisë së kompanive vendore, aftësimi profesional, ngritja e cilësisë në arsim dhe të mirat tjera që ofron lëvizja e lirë.
Ministrja Hoxha, kërkoi mbështetje për liberalizimin e vizave nga Qeveria hungareze në Këshillin e Ministrave, duke theksuar se të gjithë eurodeputetët hungarez, votuan pro liberalizimit.
Z. Szabolcs Takács, Ministër i shtetit për çështje evropiane pranë Zyrës së Kryeministrit të Hungarisë rikonfirmoi mbështetjen për Kosovën, duke vënë në spikamë të arriturat e Kosovës në këtë proces si dhe bashkëpunimin e deritashëm për procesin integrues dhe përfshirjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ai vuri në dukje po ashtu se Hungaria do të jetë përkrahëse e rrugës integruese euro-atlantike të Kosovës si dhe liberalizimit të vizave, duke theksuar se migrimi ilegal duhet të marrë fund dhe qytetarët të jenë të lirë për të lëvizë dhe shtetasit e Kosovës të mos jenë të diskriminuar, krahasuar me rajonin.