Adresimi i Kryenegociatorit me Bashkimin Evropian nga konferenca për media në lidhje me Agjendën e Reformave

Të nderuar përfaqësues të medias,

Ju faleminderit për pjesëmarrjen në konferencën e sotme.

Kjo është konferenca ime e parë për media që nga emërimi im si Kryenegociator i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinator Kombëtar për Instrumentin e Reformave dhe Rritjes.

Konferenca e sotme është në shërbim të ofrimit të transparencës në lidhje me hapat në Agjendën e Reformave nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, të cilët për afat të rregullt kanë pasur 30-qershorin e vitit 2025 dhe për afat shtesë (grace period) kanë pasur 30 qershorin e këtij viti.

E shfrytëzoj këtë rast për të bërë edhe një përmbledhje të punës që është bërë që nga hyrja në fuqi e marrëveshjeve në kuadër të Planin e Rritjes.

Siç e dini, Kosova ishte ndër vendet e para të rajonit që i ka përmbyllur me sukses negociatat me BE-në për reformat e Planit të Rritjes, në verën e vitit 2024.

Kjo ishte dëshmi e kapaciteteve tona institucionale dhe dëshmi e qartë e vullnetit dhe gatishmërisë së qeverisë për të shtyrë përpara reformat që lidhen me anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Më pas, pa vonesë, qeveria miratoi Agjendën e Reformave më 9 tetor 2024.

Ndërkohë që u miratua edhe Marrëveshja për Instrumentin e Reformave të cilën ja patëm dërguar Kuvendit për ratifikim.

Marrëveshja e Kredisë nuk ishte e gatshme në atë kohë për miratim pasi ende nuk ishte kthyer nga Komisioni. Në dhjetor të vitit 2024 u shpërnda Kuvendi dhe si rezultat, aprovimi i të dy marrëveshjeve mbeti për legjislaturën e radhës rezultati i vitit që shkoi dihet. Marrëveshja për Kredinë dhe për Instrumentin nuk arriti të miratohej gjatë gjithë vitit, duke e shtyrë kështu edhe fillimin e zbatimit të Agjendës së Reformave. Sigurisht që puna është bërë nga ana e Qeverisë, mirëpo aspekti formal dhe zyrtar i saj u pat vonuar si rezultat i bllokadës që u patë bërë gjatë gjithë vitit në Kuvend.

Pas çertifikimit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe vetëm dy ditë pas zgjedhjes së qeverisë, qeveria ja solli Kuvendit për miratim të dy marrëveshjet me ç’rast me 13 shkurt të këtij viti Kuvendi ratifikoi marrëveshjen për instrumentin dhe marrëveshjen për huanë.

Me 19 mars Qeveria ka miratuar edhe vendimin për sistemin e zbatimit të Instrumentit të Planit të Rritjes me ç’rast unë jam emëruar Koordinator Kombëtar për këtë instrument.

Me këtë vendim u plotësuan të gjitha hapat ligjorë e proceduralë dhe më 16 prill kemi pranuar fondet e para-financimit nga Bashkimi Evropian, në shumë prej 61.8 milionë eurosh. Me 23 mars jam emëruar në pozitën e Kryenegociatorit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian.

Të dy hapat kanë treguar përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave si dhe synimin tonë për të avancuar statusin formal të Kosovës drejt anëtarësimit në BE, përkatësisht marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave me BE-në.

Me kompletimin e këtyre hapave kemi vendosur kornizën institucionale për zbatimin e këtij instrumenti: Zyra e Kryeministrit, si institucioni kryesor përgjegjës për integrim evropian, është njëkohësisht edhe institucioni kryesor koordinues për këtë instrument, kurse Ministria e Financave ka funksionet që ndërlidhen me parakushtet për financim dhe për koordinimin e komponentit të kontrollit të brendshëm dhe auditimit.

Kemi themeluar strukturat koordinuese të Qeverisë dhe kemi rregulluar përfaqësimin dhe përgjegjësitë tona si Republikë e Kosovës në Komitetin Monitorues të përbashkët me BE-në.

Strukturat e Qeverisë sipas instrumentit të zbatimit ndahen në dy nivele: në atë politik dhe atë të politikave. Në nivelin politik kemi Këshillin Ministror për Integrim Evropian, i cili ushtron funksionin e Komitetit Drejtues dhe mblidhet të paktën njëherë në tre muaj. Në nivelin e politikave kemi Komitetin Zbatues i cili mblidhet të paktën çdo muaj.
Strukturat koordinuese të Qeverisë janë duke funksionar plotësisht dhe përmes tyre po punojmë në mënyrë intensive për zbatimin e Agjendës së Reformave.

Më 14 maj kemi mbajtur takimin e parë në nivelin politik, të udhëhequr nga Kryeministri, ku kemi diskutuar gjendjen e zbatimit të reformave dhe përshpejtimin e tyre, në veçanti të atyre hapave që kërkojnë miratim në Kuvend. Në këtë takim gjithashtu kemi diskutuar çështjet me prioritet sa u përket projekteve investuese.

Ndërsa takimet e punës në nivelin e politikve janë paraparë me vendim që të jenë në baza tremujore, ne po punojmë në baza javore e ditore me ministrat përkatës për zbatimin e hapave të reformave. Të gjithë ministrat e përfshirë në zbatim, si dhe Kuvendi, kanë caktuar nga një këshilltar përgjegjës për Planin e Rritjes, duke siguruar kështu vëmendje të përditshme për këto reforma dhe kapacitete për të lehtësuar vendim-marrjen në procesin e zbatimit të tyre.

Në nivel të politikave, siç kërkon vendimi, kemi mbajtur tri raunde të takimeve të Komitetit Zbatues, në prill, maj dhe qershor, për të gjitha fushat e politikave. Në këto takime, së bashku me institucionet zbatuese, kemi diskutuar hollësisht ecurinë e zbatimit të reformave dhe sfidat në këtë drejtim. Nga këto takime është evidente se të gjitha institucionet zbatuese janë të gatshme dhe përgjithësisht të përgatitura për t’u marrë me zbatimin e reformave.

Më 17 qershor, në Prishtinë kemi mbajtur takimin e parë të Komitetit Monitorues të përbashkët me BE-në. Në këtë takim të nivelit të lartë kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, të Komisionit Evropian, të Shteteve Anëtare dhe partnerëve të zhvillimit, si dhe nga shoqëria civile, sindikatat, komuniteti i biznesit dhe autoritetet lokale. Në këtë takim kemi diskutuar ecurinë e zbatimit të reformave, si dhe përgatitjet lidhur me projektet investuese në kuadër të Planit të Rritjes.
Edhe monitorimi dhe raportimi është duke funksionuar mirë dhe pa vështirësi, dhe institucionet zbatuese përgjithësisht kanë kapacitete për të kryer të gjitha obligimet e raportimit të brendshëm dhe raportimit të rregullt gjashtëmujor tek Komisioni Evropian. Sa i përket kësaj të fundit, Kosova ka kryer të gjitha obligimet, përkundër vonesave në ratifikimin e marrëveshjeve për shkak të bllokadës në Kuvend.

Deri tani kemi dorëzuar tri raporte gjashtëmujore, ndërsa më 15 korrik do të dorëzojmë raportin e katërt gjashtëmujor mbi zbatimin e Agjendës së Reformave. Ky do të jetë raporti i parë zyrtar, dhe me këtë rast do të dorëzojmë edhe kërkesën e parë për lirimin e fonde për të gjithë hapat që kemi zbatuar deri në fund të qershorit, pra deri dje.

Sipas vlerësimit tonë paraprak, duke përfshirë institucionet zbatuese, deri në fund të qershorit të këtij viti kemi zbatuar 18 hapa të reformave. Pjesa tjetër e hapave të planifikuar për këtë vit janë në zbatim e sipër. Sipas Marrëveshjes për Instrumentin dhe rregullave të tjera të Planit të Rritjes, vendimin përfundimtar për këtë e merr Komisioni Evropian, në fund të periudhës vlerësuese, e cila zgjat 90 nga dita e dorëzimit të kërkesës sonë për lirim të fondeve që do ta bëjmë më 15 korrik.

Po ashtu, tek Komisioni Evropian deri më tani kemi dorëzuar edhe dy raporte vjetore: për zbatimin e objektivave të Planit të Rritjes dhe çështjet relevante horizontale, përkatësisht për vitin 2024 dhe 2025. Raportin për këtë vit do ta dorëzojmë më 15 janar 2027.

Këtë muaj kemi mbajtur edhe takimin e parë të Komitetit Monitorues për Bashkëpunimin për Zhvillim, strukturë e brendshme ndër-institucionale, ku kemi diskutuar më hollësisht lidhur me projektet e Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), të cilat pritet të financohen nga fondet e Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Ky forum do të jetë një mekanizëm i paralajmërimit të hershëm për të evidentuar sfidat gjatë zbatimit dhe për të marrë masat korrigjuese, sikurse dhe për të shfrytëzuar sa më mirë mundësitë financiare nga BE-ja dhe nga partnerët e tjerë.

Marrë në tërësi, që nga miratimi i vendimit të Qeverisë dhe emërimi im kemi mbajtur afër 40 takime pune me institucionet zbatuese.

Në lidhje me SEPA-n që është pjesë e Planit të Rritjes por jo e Agjendës së Reformave dhe me interes tejet të lartë për qytetarët e Republikës, sidomos të mërgatës tonë.

Sa i përket anëtarësimit në SEPA (Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro), fillimisht Kuvendi kishte miratuar ndryshimet e nevojshme legjislative që përbëheshin nga tri ligje, përkatësisht amendamentet në Ligjin për Shërbimet e Pagesave, Ligjin për Bankat dhe në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e financimit të Terrorizmit – patën kaluar me 5 dhjetor 2024, por ishin dërguar në pako me ligjet tjera në atë kohë nga Partia Demokratike në gjykatë kushtetuese me c’rast u bllokuan gjatë gjithë vitit që shkoi. Deri me 9 janar të këtij viti, nuk u dha dhënë një vlerësim nga gjykata kushtetuese, të cilat kryesisht u rrëzuan për cështje procedurale, por mbetën të ngujuara nga gjykata kushtutuese për më shumë se një vit.

Pas vlerësimit nga gjykata kushtetuese në janar të këtij viti, dy ligjet, ai për shërbimin e pagesave dhe për parandalimin e pastrimit të parave u dërguan në Kuvend sërish për aprovim. Për shkak të kohës së shkurtër që Kuvendi pat në dispozicion, ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit nuk kaloi.

Siç e dini, opozita pat qëndruar në sallë për të bllokuar kuorumin, sepse nuk votuan për kalimin e përshpejtimit të procedurave dhe ky ligj nuk kaloi gjatë kohës së prillit. Realisht, kjo e pamundësoi edhe aplikimin zyrtar të Kosovës për SEPA.

Sigurisht, ky ligj do të jetë i gatshëm për seancën e rradhës së Kuvendit, ashtuqë t’i mundësohet Kosovës aplikimi në SEPA e ku përfitimet janë shumë të mëdha: mbi 50 milionë Euro llogaritet që i kursen mërgata jonë nga antarsimi në SEPA. Por jo vetëm mërgata, përfitojnë edhe bizneset tona nga bërja e transaksioneve.

Tani më lejoni të flas për hapat të cilët për afat të rregullt e kishin qershorin e vitit 2025 e që skaduan dje pas periudhës shtesë.

Siç e dini Agjenda e Reformave ka gjithsej 111 hapa, që përfshijnë diku rreth 300 nën hapa në formë të akteve nën-ligjore. Pra kemi një hap që përbëhet nga disa nënhapa dhe ku si pikënisje kanë aprovimin e ligjit që pastaj kërkon akte nën-ligjore.

Në total, në zbatim e sipër deri dje janë 62 hapa. Prej tyre, 13 hapa kanë qenë me afat shtesë deri më 30 qershor 2026, pra deri dje. Ndërkaq 49 hapa të tjerë janë në zbatim e sipër e që 27 prej tyre e kanë si afat shtesë fundin e vitit, pra dhjetorin 2026.

Nga gjithsej 62 hapa, konsiderojmë që janë zbatuar 18 hapa për çka edhe me 15 korrik do të kërkojmë lirimin e fondeve nga BE.

Për këtë konferencë, të rëndësisë së veçantë janë hapat të cilat për afat shtesë kanë pasur datën e djeshme. Sipas instrumentit të reformave, për hapat të cilët nuk arrijnë të zbatohen në periudhën shtesë, mjetet e dedikuara për përfundimin e këtyre hapave humbin.

Nga këta 13 hapa që ishin pjesë e agjendës së reformave me afat shtesë, 7 konsiderohen të zbatuar, ndërkaq 6 nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht. Në këta 6 hapa, ka zbatim të disa nën-hapave, kryesisht që varen nga veprimi i qeverisë.

Hapat që nuk kanë arritur të zbatohen në periudhën shtesë janë:

  1. Ligjet për energji dhe energji elektrike si dhe aktet nënligjore,
  2. Sistemi i Kontrollit të Ndihmës Shtetërore, Ligji për ndihmën shtetërore.
  3. Këshilli Kombëtar për Inovacion dhe Fondi i Inovacionit, Ligji për inovacion dhe ndërmarrësi.
  4. Legjislacioni kornizë dhe aktet nënligjore lidhur me falimentimin dhe paaftësinë paguese. Ligji për kamat vonesa.
  5. Pako e ligjeve të reformës në drejtësi. Gjithsej 6 ligje: Ligji për KPK-në dhe KGJK-në; për akademinë e drejtësisë; për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve; për rekrutimin, vlerësimin e performancës; për kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve; për administrimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial).
  6. Strategjia për luftimin e krimit të organizuar, së bashku me nën-hapat që janë pjesë e kësaj strategjie.

Siç edhe vërehet nga leximi i tyre, nga 13 hapa, me afat 30 qershorin 2026, 7 apo 54% të tyre janë zbatuar. Nga 6 hapat që nuk janë zbatuar, 5 prej tyre përmbajnë aprovim të ligjeve ose 83% prej tyre. Hapi i mbetur që është Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar, është veprim i cili duhet të miratohet në qeveri mirëpo për arsye procedurale nuk ka arritur të miratohet pasi atë nuk mund ta aprovojë qeveria në detyrë.

Me fjalë të tjera pothuajse të gjithë hapat që nuk kanë arritur të zatohen në afatin shtesë, janë si pasojë e mos funksionimit të kuvendit dhe bllokadës në kuvend.

Kostoja e përllogaritur e mos arritjes së realizimit në kohë të këtyre 6 hapave llogaritet të jetë në mbi 40 milionë euro. Vlera e saktë do të përcaktohet nga vlerësimi i Komisionit varësisht nëse ata i llogarisin edhe nën-hapat të cilët janë zbatuar, duke pasur parasysh rrethanat objektive.

Të gjithë hapat që kanë pasur afatin e 30 qershorit ne do t’i monitorojmë dhe do t’i shtyjmë për aprovim në seancën e radhës së kuvendit pasi reformat janë për të mirën e qytetarëve dhe të Republikës. Ato dë të zbatohen gjithsesi. Pra, edhe pse nuk e kanë arritur afatin me kohë të lidhur më fondet, ne do t’i shtyjmë me të njejtin vrull e vullnet që të aprovohen sa më shpejtë në seancën e rradhës.

Vëmendjen tash duhet ta mbajmë në hapat që për afat e kanë dhjetorin e këtij viti. Aty bëjnë pjesë 61 hapa në vlerë 444 milionë euro. Në këta 61 hapa bëjnë pjesë edhe 22 hapa që për afat shtesë kanë 31 dhjetorin e këtij viti në vlerë prej 131.7 milionë.
Pra duhet të kemi Kuvend që funksionon në mënyrë që të arrijmë të përmbushim të gjithë hapat që skadojnë në fund të dhjetorit të këtij viti

Sikurse edhe me afatin e këtij qershori edhe në afatin e dhjetorit, kemi hapa që janë ligje që duhet miratuar në kuvend apo qeveri me funksione të plota.

Pra, siç edhe e vëreni, është tejet e rëndësishme që të kemi Kuvend funksional.

Nga hapat që nuk u arritën në afatin e 30 qershorit: Ministria e Ekonomisë ligjet për Energji dhe Energji Elektrike, i ka sjellë në Qeveri dhe patën kaluar në prill, ndërkohë që u patën kaluar në lexim të parë edhe në Kuvend. Por nuk arritën të kalohen në seancë plenare, ku siç e thashë, kërkohej kalimi me procedurë të përshpejtuar, e që kërkonte dy të tretat e të pranishmëve.

Opozita pat qendruar në sallë për ta pamundësuar arritjen e dy të tretave, që është e kundërta me seancën për zgjedhjen e Presidentit, ku aty kërkohej që të rrinin në sallë për tu bërë dy të tretat, dhe nuk qëndronin, dhe këtu për kalimin e ligjit më procedurë të përshpejtuar ku kërkohej të mos ishin në sallë, nëse nuk donin që ta bllokojnë. Por e pamundësuan edhe kalimin e ligjit për SEPA dhe ligjeve për energjinë, duke qëndruar në sallë për të pamundësuar pragun e dy të tretave për kalim të procedurave.

Të gjithë 6 hapat që nuk arritën të përfundohen në afatin e 6 qershorit, pra 5 hapat që kërkonin aprovim të ligjeve në kuvend si dhe hapi për aprovimin e strategjisë do të mund të arriheshin sikur të mos kishte bllokadë në kuvend. Pra sikur kuvendi të ishte funksional dhe qeveria në kapacitet të plotë.
Agjenda e reformave është për të përshpejtuar rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Qeveria ka dëshmuar kapacitete të plota për ta bërë në kohë Agjendën e Reformave dhe për të zbatuar secilin hap, por për këtë kërkohet funksionimi i kuvendit.

Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors