Sot, Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, z. Jeton Zulfaj, priti në takim Shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Veronika Vashchenko, e cila u shoqërua nga znj. Dafina Krasniqi, Zyrtare për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme në Zyrën e UNICEF-it në Kosovë.
Në kuadër të zbatimit të Agjendës së Reformave, veçanërisht në zhvillimin e fushës politike të kapitalit njerëzor dhe reformave që ndërlidhen me edukimin në fëmijërinë e hershme, qasjen e barabartë dhe sigurimin e cilësisë në institucionet e edukimit në fëmijërinë e hershme, UNICEF ka dhënë një kontribut të rëndësishëm. Me këtë rast, z. Zulfaj e falënderoi znj. Vashchenko dhe ekipin e UNICEF-it për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e këtyre reformave.
Në takim u bisedua edhe për angazhimin e UNICEF-it në projekte të përbashkëta për mbrojtjen e të drejtave dhe mirëqenies së fëmijëve, për të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar të vazhdojë bashkëpunimin me UNICEF-in dhe partnerët e tjerë.




