Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajtën takimin e 8-të të Nënkomitetit të MSA-së për Bujqësi dhe Peshkatari

Përfaqësuesit e Kosovës dhe të Komisionit Evropian u takuan në Bruksel më 9 tetor 2026 për të diskutuar zhvillimet në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, peshkatarisë dhe akuakulturës, sigurisë ushqimore, si dhe çështjet veterinare dhe fitosanitare në Kosovë, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).

Diskutimet u përqendruan në zhvillimet legjislative dhe të politikave në Kosovë, si dhe në kapacitetet institucionale dhe administrative për zbatimin e reformave. Komisioni e inkurajoi Kosovën të përshpejtojë miratimin e legjislacionit në pritje dhe, krahas përafrimit të legjislacionit, të sigurojë zbatimin dhe respektimin efektiv të tij. Vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të kapaciteteve institucionale përmes plotësimit të pozitave të lira të punës dhe sigurimit të burimeve të mjaftueshme financiare, duke shfrytëzuar plotësisht asistencën e BE-së.

Në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, pjesëmarrësit diskutuan avancimin e konsolidimit të tokës bujqësore, integrimin e masave për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike dhe rritjen e qëndrueshmërisë në strategjinë për bujqësi, finalizimin e Ligjit për shërbimet këshilluese për bujqësi dhe zhvillim rural dhe akteve përkatëse nënligjore, trajtimin e humbjes dhe degradimit të tokës bujqësore, si dhe përfundimin e legjislacionit sekondar në kuadër të Ligjit për organizimin e tregut të produkteve bujqësore.

Në fushën e sigurisë ushqimore dhe çështjeve veterinare, pjesëmarrësit diskutuan nevojën për të siguruar zbatimin efektiv të standardeve të BE-së dhe kapacitetet e duhura inspektuese, plotësimin e pozitave të lira dhe sigurimin e burimeve të mjaftueshme për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, përafrimin e veprimtarisë së operatorëve të biznesit ushqimor me standardet e BE-së për sigurinë ushqimore, funksionalizimin e impiantit për përpunimin e nënprodukteve shtazore, miratimin e legjislacionit për mirëqenien dhe shëndetin e kafshëve, si dhe zbatimin e planit pesëvjeçar për monitorimin dhe kontrollin e sëmundjeve.

Në fushën e peshkatarisë dhe akuakulturës, pjesëmarrësit diskutuan nevojën për miratimin e Ligjit për peshkatari dhe akuakulturë në përputhje me acquis të BE-së, finalizimin e inventarit të llojeve të peshqve dhe forcimin e kapaciteteve administrative dhe financiare. Përafrimi i këtij sektori me standardet e BE-së mund të krijojë mundësi të reja ekonomike dhe të mbështesë komunitetet rurale.

Informata shtesë

  • Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) është korniza përmes së cilës BE-ja dhe Kosova diskutojnë çështje teknike dhe të politikave rreth reformave të lidhura me BE-në. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim-Asociimit, të asistuar nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit, si dhe nën-komitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
  • Secili takim i nën-komitetit monitoron dhe shoqëron realizimet e Kosovës në reforma dhe identifikon si mundet BE-ja të ndihmojë në këtë proces. 
  • Janë shtatë fusha të mbuluara përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve përkatëse: drejtësia, liria dhe siguria; inovacioni, shoqëria e informacionit, politikat sociale, arsimi dhe kultura; tregtia, industria, doganat dhe tatimet; tregu i brendshëm, konkurrenca, mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit; bujqësia, peshkataria, pylltaria, siguria ushqimore; transporti, mjedisi, energjia, ndryshimi klimatik dhe zhvillimi rajonal; çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat. 
  • Dy fusha të tjera, të mbuluara përmes takimeve të grupeve të posaçme, janë reforma në administratën publike dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
  • Takimet e komitetit dhe nën-komiteteve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Koha ndërmjet takimeve lejon zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve të mëvonshme të dakorduara.  
Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors