Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, mori pjesë sot në Konferencën e Formatit Slavkov për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Vjenë me ftesë të Ministres Federale të Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Familjen, znj. Claudia Bauer

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, mori pjesë sot në Konferencën e Formatit Slavkov për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Vjenë me ftesë të Ministres Federale të Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Familjen, znj. Claudia Bauer.

Kryenegociatori e falënderoi ministren Bauer për ftesën në konferencën e këtij formati, të cilin këtë vit e kryeson Austria.

Diskutimet u përqendruan te rinia dhe integrimi gradual në BE, si dhe te ruajtja e kredibilitetit dhe momentumit të politikës së zgjerimit.

Në intervenimet e tij, z. Zulfaj theksoi se Kosova është ndër shoqëritë me popullsinë më të re në Evropë, me të rinj që po e bëjnë krenare me sukseset e tyre në sport, art dhe kinematografi.

Pjesëmarrja në Erasmus+, Horizon Europe, Evropa Kreative, Evropa Digjitale dhe programe të tjera të BE-së po krijon më shumë hapësirë për mobilitet, studim, hulumtim, ndërmarrësi dhe kreativitet.

Ai kërkoi asociimin e plotë të Kosovës në Erasmus+ dhe mirëpriti gjithashtu negociatat për hapjen e programit DiscoverEU për Kosovën nga viti 2027 dhe shprehu shpresën që ato të përmbyllen shpejt, si përfitim i prekshëm i integrimit gradual për brezin që e mbështet më shumë rrugën evropiane.

Njëkohësisht, Kosova po zbaton Agjendën e Reformave dhe po punon drejt integrimit në SEPA dhe Roam Like at Home.

Kosova është proaktive në bashkëpunimin rajonal, megjithatë marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit ende nuk zbatohen plotësisht. Serbia ka bllokuar marrëveshjen për njohjen e diplomave, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina ka bllokuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftim, pavarësisht se Kosova ua ka lehtësuar lëvizjen qytetarëve të BeH-së.

Kryenegociatori theksoi se, falë liberalizimit të vizave me BE-në, qytetarët e Kosovës udhëtojnë më lehtë në Vjenë se në Sarajevë, gjë që është e papranueshme. Njohja e diplomave dhe lëvizja e lirë janë në qendër të mobilitetit dhe pjesë e lirive themelore që promovon Bashkimi Evropian.

Për manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjen e huaj (FIMI), Zulfaj e vlerësoi si të qëlluar iniciativën e Mburojës Demokratike Evropiane dhe theksoi rëndësinë e edukimit mediatik për të rinjtë, të cilët janë gjithnjë e më shumë cak i aktorëve dashakeqë.

Ai theksoi se statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim janë hapat e radhës, të merituar dhe në interes si të Kosovës, ashtu edhe të Bashkimit Evropian. BE-ja duhet të përmbushë pritjet e të rinjve për një Evropë ku ata që promovojnë vlerat e saj dhe përmbushin standardet e saj e gjejnë vendin e tyre. Kjo është edhe strategjia më e mirë e komunikimit të BE-së.

Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors